Drejtori i DhTIK-ut, Kushtrim Ahmeti thotë se bizneset në përgjithësi nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga institucionet për t’u rritur dhe fuqizuar në treg.
Shumë prej bizneseve, sipas tij, kanë ndaluar investimet që kishin planifikuar ose janë të detyruara të shesin prodhimin e tyre jashtë vendit.
Ahmeti nënvizon se shumë kompani po transferojnë prodhimin jashtë Kosovës, pastaj të njëjtin produkt po e importojmë në vendit tonë.
“Bizneset në përgjithësi nuk e kanë pas një mbështetje nga institucionet për tu rritur dhe për tu fuqizuar në treg, por më shumë me këto veprime sidomos dhe me heshtjen e vazhdueshme ndaj këtyre veprimeve nga institucionet e kanë pasur një goditje të vazhdueshme ndaj bizneseve të tyre që e kanë rrezikuar shumë. Shumë prej tyre tashmë ose i kanë ndërprerë investime që i kanë pasur për t’i bërë, e të tjerat po i shikojnë mundësinë për të ikur me gjithë prodhimin nga vendi jonë. Ne po e përzëmë produktin tonë ose biznesin tonë. Po e qesim në Maqedoni dhe në Shqipëri dhe ata prapë i njëjti produkt po vije në formë importi”, potencon Ahmeti.
Bazuar në të dhënat që kë dërguar Dogana e Kosovës për KosovaPress, vlera e mallrave të importuara gjatë nëntëmujorittë këtij viti, ka qenë mbi 845 milionë euro më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkaq, Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 947 milionë euro në vlerën e mallrave të importuara gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ka pësuar një rënie prej 16 milionë eurosh në vitin 2025, në krahasim me vitin 2022.
Sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova eksportoi mallra mbi 563 milionë kg, 567 milionë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 670 milionë kg në janar – shtator 2023 dhe 657 milionë kg mallra në janar-shtator 2022.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë: Turqia, Gjermania, Kina, Shqipëria dhe Greqia.
Ndërkaq, sa i përket eksporteve, shtetet kryesore në të cilat Kosova ka eksportuar mallra gjatë vitit 2024 janë : Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.