Shtesat për fëmije, reagon Ministri i Finacave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën për qëndrime kontradiktore lidhur me shtesat për fëmijë. Sipas tij, opozita fillimisht kishte deklaruar se shtesat nuk mund të realizoheshin për shkak të mungesës së buxhetit. Më pas, kur u siguruan mjetet financiare dhe u vendosën shtesat për fëmijë, ato u kritikuan si të pamjaftueshme dhe u përqeshën.

Murati thekson se, pasi Qeveria jo vetëm që i rriti shtesat, por ka paralajmëruar edhe dyfishimin e tyre në 90 euro në muaj për mandatin e ardhshëm, opozita ka ndryshuar sërish qëndrim. Tani, sipas tij, opozita po premton se do t’i bëjë shtesat 50 euro në muaj, nëse fiton zgjedhjet.

Në deklaratën e tij, Murati shtron pyetjen se sa e besueshme është opozita, duke theksuar se për më shumë se 20 vjet ajo nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për mbështetjen e fëmijëve në Kosovë. Ai nënvizon se politikat sociale aktuale janë dëshmi e angazhimit të qeverisë për përkrahjen e familjeve dhe fëmijëve.