KËRKESË NGA LEHONAT PËR PËRFSHIRJE NË PAGEN E 13-TË

Ne, gratë lehona dhe nënat që kemi lindur së fundmi, shprehim shqetësimin tonë për mospërfshirjen në listën e përfituesve të pagës së 13-të.

Periudha pas lindjes është ndër më të ndjeshmet në jetën e një gruaje, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe ekonomik. Gjatë kësaj kohe përballemi me shpenzime të shtuara për foshnjat tona, për kujdes mjekësor dhe për nevojat bazë të familjes. Mungesa e kësaj mbështetjeje financiare e vështirëson edhe më shumë këtë fazë të rëndësishme të jetës sonë.

Kërkojmë që të trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe të përfshihemi në listën e përfituesve të pagës së 13-të, ashtu si kategoritë e tjera. Mbështetja për nënat e reja është mbështetje për familjen dhe për të ardhmen e shoqërisë.

Presim nga institucionet përgjegjëse që ta shqyrtojnë këtë kërkesë me seriozitet dhe të marrin një vendim të drejtë në mbështetje të lehonave.