Ekzekutohen shtesat nga 100 euro per femijet që ende nuk i kanë pranuar mjetet ne xhirollogaritë e tyre

Ka nisur ekzekutimi i shtesave prej 100 euro për fëmijë edhe për qytetarët të cilët deri më tani nuk i kishin pranuar mjetet në xhirollogaritë e tyre bankare.

Sipas informacioneve të siguruara, pagesat tashmë janë proceduar edhe për përfituesit që posedojnë llogari në Raiffeisen Bank Kosovo, ndërsa mjetet pritet të reflektohen gradualisht gjatë ditës dhe në orët në vijim.

Shumë qytetarë kishin raportuar vonesa në ekzekutimin e pagesave, megjithatë procesi tashmë ka filluar të kompletohet edhe për pjesën e mbetur të përfituesve. Autoritetet kanë bërë të ditur se transferet po realizohen në mënyrë të vazhdueshme, varësisht nga procedurat bankare dhe procesimi i pagesave ndërbankare.

Përfituesit këshillohen që të kontrollojnë xhirollogaritë e tyre bankare, pasi në disa raste mjetet mund të reflektohen me vonesë prej disa orësh.

Shtesat prej 100 euro janë pjesë e mbështetjes financiare për familjet me fëmijë, ndërsa ekzekutimi i tyre po bëhet në faza për të gjitha bankat komerciale në Kosovë.