Komuna e Prishtinës planifikon rritjen e taksave ndaj bizneseve
Komuna e Prishtinës po shqyrton rritjen e disa taksave dhe tarifave komunale që prekin drejtpërdrejt bizneset. Ky propozim ka ngjallur reagime nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët vlerësojnë se rritja e barrës fiskale mund të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik, investimet dhe ruajtjen e vendeve të punës.
Sipas bizneseve, çdo rritje e taksave sjell kosto shtesë operative, të cilat në fund mund të reflektohen në çmimet e produkteve dhe shërbimeve për qytetarët. Nga ana tjetër, Komuna argumenton se ndryshimet synojnë rritjen e të hyrave komunale dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Debati rreth këtij propozimi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa bizneset kërkojnë konsultime më të gjera dhe një analizë të plotë të ndikimit ekonomik para se të merret një vendim përfundimtar.
Ashtu si bankat edhe berberët do t’ia paguajnë nga 1 mijë euro taksë vjetore Komunës së Prishtinës, bazuar në draftrregulloren e vendosur në konsultim publik tash e një javë.
Sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë janë në mesin e 41 kategorive ekonomike të propozuara për t’iu nënshtruar tarifave të reja e të cilat fillojnë nga 300 deri në 3 mijë euro.
Sipas draftrregullores, aktivitetet që do t’u nënshtrohen tarifave janë edhe ndërtimtaria, tregtia, shërbimet profesionale, transporti, arsimi privat, shëndetësia private e aktivitetet sportive.
Taksa më e lartë prej 3 mijë eurosh është paraparë për aktivitetet e spitaleve private dhe aktivitetet e specializuara private.
Shumë e njëjtë është paraparë edhe për aktivitetet e mirëmbajtjes trupore.
E ordinancat dentare që operojnë në kryeqytet nëse aprovohet ashtu siç është propozuar rregullorja, do të duhet të paguajnë nga 2 mijë euro taksë vjetore.
Po aq do të paguajnë edhe qendrat e thirrjeve.
Tarifa nga 500 deri në 1 mijë euro janë paraparë edhe për profesione të lira dhe shërbime profesionale.
Veprimtaria e avokatëve dhe noterëve është paraparë të tarifohet me nga 1 mijë euro, e përmbaruesit me 700 euro.
Ndërsa aktivitetet e kontabilitetit, libërmbajtjes, auditimit dhe arkitekturës me nga 500 euro.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka thënë se ky dokument nuk është finalizuar, se aktualisht është në proces të konsultimeve publike dhe se mund të pësojë ndryshime.
“Kjo është në diskutim publik. Nuk është se janë vendosur ato çmime, është i hapur diskutimi publik deri më datën 24 qershor, pas 24 qershorit do t’i marrim krejt komentet dhe argumentet dhe e shqyrtojmë edhe njëherë se ku mund të kemi qenë gabim dhe ku duhet të përmirësohet”, ka thënë ai.



















